Avokati Idajet Beqiri ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Breaking”, në Top News, ku ndër të tjera foli dhe për hetimet mbi vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Ai ngriti dyshime të forta se në këtë ngjarje ka disa persona që janë munduar ta fshehin, e po ashtu se autori, apo autorët, kanë bashkëpunëtorë që kanë fshehur dhe armën e krimit. Sipas tij, ata mund të jenë dhe persona në moshë madhore.

“Ai djalë nuk dueht të ishte dërguar aspak në spital privat, duhet të ishin kryer një sërë procedurash. Mjeku do detyrohet ta lëshojë epikrizën, pasi nëse nuk e bën, po shkel vendimin e Prokurorisë.

Kjo ngjarje nuk ka vetëm autorët që kanë kryer krimin, por ka dhe autorë të tjerë që janë përpjekur të fshehin ngjarjen, apo edhe që kanë përkrahur kryerjen e krimit. Ka dhe bashkëpunëtore për armëmbajtjen, që kanë mbajtur thikën. Mund të jenë dhe madhorë. Lind dyshimi që mund të jetë fshehur nga një person madhor arma për sa kohë mezi u gjet. Mund të ketë pasur persona të tjerë që kanë përkrahur autorin pas ngjarjes, e kanë larguar nga vendngjarja, etj.

Por nuk duhet të paragjykohet policia dhe prokuroria për punë që kanë bërë. Nuk duhet të politizohet kjo ngjarje, pasi është e rëndë. Dhimbja e asaj familjeje është e madhe, nuk duhet abuzuar në asnjë moment”-, tha avokati.