Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit, Niko Peleshi. Teksa Peleshi nisi fjalimin e tij të parë si kryeparlamentar, Berisha u largua nga salla në shenjë proteste.

Në një deklaratë për mediat nga oborri i Parlamentit, Berisha akuzoi Peleshin se “mban mbi supe pesë dosje korrupsioni”, duke e cilësuar si të padenjë për të drejtuar Kuvendin.

“Është një qenie amorfe politike,” u shpreh Berisha, duke përsëritur etiketimet që ai përdor shpesh kundër kundërshtarëve politikë.

Zgjedhja e Niko Peleshit në krye të Kuvendit u votua në seancën e sotme plenare, mes debateve dhe tensioneve politike mes maxhorancës dhe opozitës.

“Sot në drejtim të parlamentit u zgjodh një njeri me 5 dosje korrupsioni. Niko Peleshi është historia e korrupsionit, është njeriu që ka firmosur akte madhore korruptive për djegësat, qoftë për prodhimin e energjisë në djegësin e Elbasanit dhe djegësin e Elbasanit, akte të cilat e bëjnë atë përgjegjës automatik për dëme kolosale që u ka bërë shqiptarëve.

Niko Peleshi është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe në zona të tjera, kur ka qenë ministër Bujqësie. Peleshi të themi të vërtetën është nga pikëpamja, të themi e konstitucionit, në rrafshin konstitucionalist, jo të Kushtetutës, por të fizikut, ai është një qenie amorfe.

Pra, ky njeri në vend që të shkojë atje ku ka vendin, ky merr kreun e parlamentit vetëm e vetëm se ka vjedhur së bashku me Edi Ramën…. Tani jemi për betejë, nuk kemi nevojë për tolerancën e tyre fare. Asnjë nevojë për tolerancën e tyre, ata nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit shqiptar. Ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar, ata përfaqësojnë vullnetin e krimit shqiptar.

Përfaqësojnë kartelet e drogës, organizatat kriminale, përfaqësojnë miliardat e vjedhura të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Sali Berisha.