Analisti Frrok Çupi,ka komentuar qëndrimet politike të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i cilësuar ato si një luftë të hapur kundër vlerave perëndimore.
Sipas tij, kreu i PD është kundër perëndimit dhe Bashkimit Europian dhe kjo është arsyeja që i sulmon ambasadorët e huaj.
“Së bashku me Metën, Berisha po zhvillon një luftë që ka në thelb seksizmin. Politikisht, ai nuk e ka dashur kurrë Perëndimin dhe Bashkimin Europian.
Nuk mund të bësh luftë kundër barazisë gjinore në një shtet europian. Sulmi që ai i bën Perëndimit është shumë i hapur. Ky është njeriu që në çdo aspekt lufton kundër vlerave perëndimore”, tha ai.
Duke iu referuar situatës politike dhe zgjedhjeve lokale, analisti theksoi mungesën e opozitës reale në terren.
“Në këto ditë nuk kemi parë një fushatë zgjedhore të mirëfilltë. PD dhe partitë opozitare nuk kanë asnjë kandidat, sepse nuk janë gati t’i shërbejnë qytetarit,” tha Çupi.
Sipas tij, edhe Partia Socialiste nuk ka zhvilluar një fushatë të zhurmshme, sepse njerëzit tashmë e besojnë.
“PS duket se nuk e ka parë të arsyeshme për të bërë një fushatë, por është e garantuar që njerëzit e besojnë. Padyshim, nuk ka asnjë parathënie apo hije diku, që mund të fitonte një gjë atje që nuk ekziston, siç është opozita,” përfundoi Çupi.
