Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Kurjan të Roskovecit, ku dy vëllezër, Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, u vranë me armë nga 49-vjeçari Altin Kuka, me të cilin kishin lidhje farefisnore. Krimi i dyfishtë ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rritur shqetësimin për sigurinë në zonë.
Guxim Kurtaj, vëllai i viktimave, ka folur për ngjarjen në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, duke theksuar se familja e tij nuk kishte pasur ndonjëherë konflikte me autorin. “Nuk kemi pasur problematika asnjëherë. Kemi qenë në punën tonë,” u shpreh ai, duke shtuar se e mori lajmin e tragjedisë nga mbesa e tij.
Guximi shpjegoi se ai kishte biseduar me të vëllanë, Ladin, për herë të fundit para ngjarjes dhe se ndjehej i shkatërruar nga humbja. “Ka varje, ka pushkatim për të. Se nuk i kishim faj për asnjë lloj gjëje,” tha ai, duke e përjashtuar mundësinë e faljes.
Autori, Altin Kuka, u vetëdorëzua në polici me armën e krimit, ndërsa dy djemtë e tij u shoqëruan për në komisariat. Sipas hetimeve, një sherr banal ishte shkaku i vrasjes, që ndodhi më 10 shtator 2024, para një lokali të vogël të familjes Kurtaj.
Një muaj pas ngjarjes, familjarët e viktimave protestuan para Gjykatës për të kërkuar drejtësi, duke shprehur zemërimin dhe dhimbjen e thellë për humbjen e dy vëllezërve.