Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Dibër ngriti akuza edhe ndaj opozitës, ku u shpreh se ‘edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë dhe kazanët e plehrave’. Kryeministri shtoi se PS është përballur shpesh me forcën e shkatërrimit, por tashmë në ADN-në e vetë ka vetëm interesin kombëtar.
“Çfarë e ka karakterizuar PS-në: prirja për të ndërtuar dhe ka qenë gjithmonë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit, forcën që kur ka pasur në dorë mundësinë të shkatërronte Shqipërinë e ka bërë, edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve ka shkatërruar fasadën e Kryeministrisë dhe kazanët e plehrave. Ata që PS ka pasur, por tani s’i ka më përballë se i ka mbrapa, ka qenë gjithmonë mishërimi i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve këtej dhe andej, ndarja në demokratë dhe komunistë, njerëz të demokracisë dhe diktaturës. Një përçarje që u shtri deri në fshatin më të largët, kur ziheshin komshinjtë për partinë, kur akoma ishin pa gjërat më elementare. PS e ka të shkruar në ADN-në e vet edhe raportin kristal me interesin kombëtar, edhe marrëdhënien e drejtë me të shkuarën, por edhe marrëdhënien qytetare me shoqërinë”, u shpreh kryeministri Rama.
