Konflikti
Rritet tensioni me Pakistanin mbi kontrollin e vendit aziatik
Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai ka në plan të diskutojë për marrëveshje për blerje armësh me zyrtarët e Indisë gjatë një udhëtimi në Nju Delhi këtë javë, një lëvizje që pritet të rrisë tensionin me Pakistanin, me të cilin ka sakaq mosmarrëveshje për delimitimin e kufirit.
Pakistani është ankuar shpesh për përzierjen e Indisë në punët e Afganistanit, pasi e sheh afrimin si një plan për ta rrethuar atë.
“Afganistani e ka nënshkruar sakaq një pakt strategjik me Indinë dhe bazuar në këtë pakt, India do të ndihmojë Afganistanin në shumë fusha, përfshirë edhe sektorin e ushtrisë”, tha zëdhënësi i qeverisë së Kabulit. “Në mënyrë që të fuqizojmë forcat e sigurisë së Afganistanit, ne do të kërkojmë që India të na plotësojë mungesat dhe nevojat ushtarake”, tha ai.
India, deri më sot, ka trajnuar disa oficerë të ushtrisë së Afganistanit për shumë vite por nuk ka ofruar pajisje ushtarake. Më 2011, Nju Delhi nënshkroi një pakt strategjik me Kabulin për të forcuar ushtrinë e këtij vendi në përgatitje për largimin e trupave të huaja nga fundi i vitit 2014.
Pakistani propozoi gjithashtu partneritet me Afganistanin por Kabuli nuk e pranoi idenë. Më herët këtë muaj, roje kufitare të të dyja vendeve u përplasën përgjatë kufirit të papërcaktuar. Afganistani tha se iu vra një polic dhe iu shkatërruan disa vendvrojtime kufitare.