Administrimi i pronave në Shqipëri pritet të kalojë në një strukturë të re institucionale.
Një projektligj i ri I hedhur për konsultim publik parashikon krijimin e Agjencisë Shtetërore të Pronës, përmes bashkimit dhe riorganizimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës me Agjencinë e Trajtimit të Pronës.
Me arsyen se sot kompetencat janë të fragmentarizuara mes institucioneve të ndryshme, qeveria argumenton në projektligj se ndarja mes trajtimit të pronës dhe regjistrimit të saj ka sjellë zvarritje dhe vështirësi në përfundimin e proceseve të pronësisë.
“Ky riorganizim synon gjithashtu të eliminojë boshllëqet ligjore dhe ndërthurjet e kompetencave, që mund të krijojnë hapësira për interpretime apo praktika administrative të ndryshme. Projektligji ruan dhe përsos kompetencat ekzistuese të Kadastrës dhe të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, duke i përfshirë ato në strukturën e Agjencisë së re”, shprehet Ministria e Drejtësisë.
Agjencia e re do të ketë tre funksione kryesore, regjistrimin kadastral të pronave, administrimin dhe inventarizimin e pasurive të shtetit, si dhe përfundimin e proceseve të legalizimit, kalimit të tokave bujqësore dhe kompensimit të ish-pronarëve.(grafik)
Një tjetër ndryshim është krijimi i një harte unike kombëtare të pronave, ndërsa të dhënat për pasuritë private dhe shtetërore synohet të administrohen në një sistem të integruar dhe të digjitalizuar. Për qytetarët, projektligji vendos edhe afate konkrete në procesin e regjistrimit.
Gjatë regjistrimit fillestar, pasi publikohen harta dhe të dhënat paraprake të pronave, qytetarët dhe subjektet e interesuara do të kenë 45 ditë për të paraqitur ankesa dhe pretendime.
Projektligji i jep gjithashtu administratës një kompetencë të re parandaluese në rast dyshimesh për mashtrim apo shkelje ligjore, mund të vendosen kufizime të përkohshme mbi veprimet kadastrale.
Por ASHP-ja do të nis aktivitetin edhe me një barrë financiare të trashëguar prej miliarda lekësh nga institucionet përbërëse.
Projektligji përbëhet nga 74 nene dhe 8 krerë dhe parashikon edhe shfuqizimin e kuadrit aktual ligjor për kadastrën, duke e zëvendësuar atë me një ligj të ri të integruar.
Në reformën e re që do të prek pronat, qeveria ka nxjerrë për konsultim publik edhe 2 projektligje për pronat e paluajtshme dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
