Në Vaun e Dejës, policia ka intensifikuar kontrollet për goditjen e paligjshmërive, duke finalizuar operacionin e koduar “STAJKA”. Gjatë veprimeve hetimore në fshatin Stajkë, shërbimet policore zbuluan një lokal të përshtatur për përdorim droge dhe lojëra fati. Si rezultat, një 39-vjeçar u arrestua në flagrancë, ndërsa u sekuestruan lëndë narkotike, materiale bixhozi dhe mjete të tjera të kundërligjshme.
Vau i Dejës / Kontrolle intensive për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Finalizohet operacioni policor i koduar “STAJKA”.
Kishte përshtatur lokalin për përdorim droge dhe për lojëra fati, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, fara të dyshuara kanabis, një valixhe me çipsa pokeri, letra bixhozi, si dhe një mjet prerës (thikë).
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “STAJKA”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Stajkë.
Gjatë kontrollit të një subjekti bar-kafe, në përdorim nga shtetasi A. P., në fshatin Stajkë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis, një valixhe me çipsa pokeri dhe letra bixhozi, të cilat përdoren për lojëra fati.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën edhe një sasi tjetër lënde narkotike kanabis, fara të dyshuara kanabis dhe një mjet prerës (thikë).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra fati”, “Organizim i lojërave të fatit”.
