Një ditë pas vendimit të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët socialistë në selinë e PS.
Në takim, Rama u shpreh se tashmë është koha për të çuar përpara punën në kryeqytet dhe për të hapur një kapitull të ri. Ai mbështeti hapur kandidaturën e Ogerta Manastirliut për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar si një zgjedhje të duhur për vazhdimësinë dhe përmirësimin e projekteve në qytet.

Gjithashtu, kreu i qeverisë u dha udhëzime të qarta për bashkitë në të gjithë vendin, duke u ndalur te disa problematika specifike që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Pas mbledhjes, Rama është fotografuar duke pirë kafe me anëtarët e kabinetit të tij në një lokal pranë selisë rozë, në një atmosferë që duket se synonte të përcillte një mesazh qetësie dhe uniteti pas zhvillimeve të fundit politike.
