Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar sot takimin e Ervin i Salianjit me më të votuarit e primareve dhe 11 majit.

Berisha u shpreh se çdo anëtar i partisë është i lirë të shprehë çdo mendim, por sipas tij, do ishte normale që të ndodhte brenda partisë. Ish-kryeministri shtoi se ka biseduar me pjesëmarrësit e këtij takimi, pasi ata vetë i kanë shkuar në zyrë.

“Kjo parti ka forumet e veta, ku çdo anëtar drejtues e mbështetës është i ftuar të shprehë lirisht çdo mendim. Natyrisht, nuk kam ndërmend t’i them asnjë njeriu që mendimet të mos i shprehë publikisht në mediat e qeverisë apo ku të duan. Por normale në një parti është që mendimet, propozimet e opinionet të shprehen brenda forumeve të partisë. Kanë ardhur vetë në zyrën time, s’kam thirrur asnjë prej tyre. Kam biseduar, e kam thënë dhe e them që janë personalitete të çmuara të PD. Por PD si çdo forcë tjetër politike ka aktivitetin e saj brenda forumeve.”– tha Berisha.