Si rrallë herë, në Kuvendin e Shqipërisë u fol sot për keqtrajtimin e kafshëve endacake, që nuk janë të pakta edhe në rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
Duke sjellë imazhe të trishta nga vrasja dhe helmimi i dhjetëra qenve në Tiranë e jo vetëm, në kundërshtim flagrant me ligjin, dhe lënia e kafshëve të ngordhura në koshat e mbeturinave, Braçe kërkoi ndërhyrjen emergjente për goditjen e këtij fenomeni të përhapur në mbarë vendin.
Për deputetin, fajtorët kryesorë për degradimin e kësaj situate janë Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, si dhe ministria e Bujqësisë, që sipas ligjvënësit socialist janë aktorët kryesorë institucionalë që kanë detyrën për të trajtuar këtë problem.
“Kemi barbari jo vetëm nga ana e pronarëve e të zotëve dhe atyre që hasin këto kafshë, por edhe barbari institucionale”, tha Braçe.
Në interpelancën që pati me ministrin për Pushtetin Vendor, Ervin Demon, deputeti kërkoi “ligj të ri për kafshët, ndryshim në kodin penal që penalizojnë fort dëmtimin e kafshëve, zgjerimin e keqtrajtimit përtej dëmtimeve fizike, një proces të ri dhe të kujdesshëm për sterilizimin”.
Duke mos mohuar problemin e sjellë në Kuvend nga Braçe, ministri Demo i mëshoi argumentit se zgjidhja gjendet tek një koordinim më i mirë ndërinstitucional.
“Kjo është një problematikë që kërkon trajtim serioz institucional midis institucioneve përgjegjëse.
Bashkitë kanë përgjegjësinë që të marrin në konsideratë të gjitha aspektet që janë të domosdoshme për të kryer këtë mision, ndërkohë që aspektet veterinare realizohen në bashkëpunim me autoritetin kombëtar të veterinarisë. Kjo është një përgjegjësi që nuk mund të trajtohet në mënyrë të fragmentuar.
Sot kemi bashki që kanë ndërmarrë hapa pozitivë dhe kanë krijuar modele funksionale si Bashkia e Tiranës apo e Korçës”, tha ndër të tjera Demo.
Interpelanca ishte kërkuar nga Braçe me ministrin e Bujqësisë, Andis Sallën, i cili nuk ndodhej në sallë, duke ia deleguar këtë “përballje” ministrit Demo. Kjo irritoi ligjvënësin socialist.
“Është edhe mungesë respekti që nuk fsheh paaftësinë epike për të lexuar jo thjeshtë për të mos bërë punën”, tha Braçe duke mos kursyer sulmet dhe përfshirjen e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës, në jetësimin e interpelancës.
“Nuk mund të përcaktojë një kryetar grupi se me kë unë duhet të bëj interpelancë, e dyta nuk mund të përcaktojë një ministër nëse do e bëjë ai apo një ministër tjetër interpelancën time me të, së treti nuk mund të përcaktojë zyra e përgatitjes plenare se me kë do ta bëj unë interpelancën. Të gjithë këta duhet të lexojnë se krijesë e kujt është filani apo fisteku.
Meqë këta s’e kanë bërë, po e lexoj unë ligjin për të thyer rregullin e përtacisë mendore që ndodh këto kohë. Për këtë arsye kisha thirrur në këtë interpelancë ministrin e Bujqësisë…”, tha Braçe.
