Një mëngjes i zakonshëm në një lokal pranë portit në Itali është kthyer në një situatë alarmante për një 35-vjeçar shqiptar, i cili u pickua nga një grerëz në brendësi të gojës, teksa po hante një ëmbëlsirë.

Ngjarja, sipas mediave italiane, ndodhi në momentin që shqiptari po konsumonte një ëmbëlsirë me krem pastiçerie. Insekti kishte qëndruar mbi të dhe, pa e kuptuar praninë e tij, 35-vjeçari e kafshoi, duke u pickuar menjëherë në gojë.

Dhimbjet e forta e detyruan të kërkonte ndihmë, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe i dhanë ndihmën e parë. Më pas, ai u dërgua në spitalin Torrette, ku u regjistrua me kod urgjence të nivelit mesatar.

Për të shmangur komplikacionet dhe një reaksion të mundshëm alergjik të rëndë, mjekët i administruan medikamente, duke ndërhyrë për të parandaluar shfaqjen e shokut anafilaktik, i cili mund të rrezikojë jetën nëse nuk trajtohet në kohë.