Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri të ditur se së shpejti, do të ndërhyhet në Kalanë e Borshit, për t’i dhënë këtij monumenti një jetë të re. Lajmin e njoftoi ministri Blendi Gonxhja përmes një postimi në Facebook. Kalaja e Borshit ndodhet 500 metra mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Ndërhyrja në këtë monument unik do të ruajë historinë duke përmirësuar përvojën e vizitorëve.

Projekti parashikon konservimin dhe stabilizimin e strukturave, restaurimin e xhamisë brenda kalasë dhe krijimin e elementëve të rinj arkitektonikë si: monopate, panele interpretuese, platformë vëzhgimi dhe ndriçim artistik, duke i dhënë Kalasë së Borshit ndriçim edhe në mbrëmje.

Projekti financohet nga Banka Botërore dhe do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me MTKS dhe Bashkinë Himarë. Borshi, vetëm 17 kilometra nga Himara, ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit dhe është një destinacion turistik ku natyra dhe plazhi ndërthuren me historinë.