Tensione dhe përplasje janë regjistruar në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, mes dy bashkëkryetarëve të komisionit.

Debati u ndez pasi përfaqësuesit e opozitës pretenduan se nuk po merrnin fjalën gjatë diskutimeve, çka solli reagimin e deputetit demokrat Luçiano Boçi.

Në kulmin e debatit, Boçi i fiku mikrofonin bashkëkryetarit tjetër të komisionit, Arbjan Mazniku, duke kundërshtuar mënyrën e drejtimit të mbledhjes.

Sipas opozitës, mazhoranca po tentonte të kufizonte diskutimet dhe të mos i jepte hapësirë debatit parlamentar, ndërsa tensionet vijuan për disa minuta në sallë.

Komisioni për Reformën Administrativo-Territoriale është ngritur për të shqyrtuar ndryshimet e mundshme në ndarjen territoriale dhe funksionimin e pushtetit vendor në vend.

Pjesë nga debati-

Mazniku: Po s’ma jep ti fjalën mua.

Boçi: Po për të tjerët nuk e di ti këtë?

Mazniku: Opozitës në këtë komision… (Boçi i fik mikrofonin) Mos shtyp tani butonin. Si kalama 2 vjeç.

Boçi: Pse ti e kishe 1? Mere tani ta gëzosh.

Mazniku: Opozitës në këtë komision i janë dhënë në mënyrë sistematike hapësira që janë dakordësuar në mënyrë sistematike.

Boçi: Nuk janë dhurata këto.