Një konflikt i nisur brenda një lokali në Velipojë rrezikoi të përfundonte në një përplasje me armë, por ndërhyrja e pronarit të biznesit shmangu të shtënat.

Ngjarja dyshohet se nisi pas një debati mes dy klientëve dhe një kamarieri të mitur. Pas përplasjes verbale, i riu kontaktoi disa persona të afërt, duke u kërkuar të shkonin në lokal.

Brenda pak minutash, përpara barit mbërriti një automjet me tre persona. Dy prej tyre zbritën të armatosur dhe u futën me shpejtësi në ambientet e lokalit, njëri me automatik dhe tjetri me pistoletë.

Prania e personave të armatosur shkaktoi panik mes klientëve, të cilët braktisën menjëherë lokalin për t’iu larguar rrezikut.

Situata u përshkallëzua kur pronari ndërhyri për të ndaluar një përplasje të mundshme. Ai u përlesh me personin që mbante automatikun dhe arriti t’ia hiqte armën nga duart.

Ndërkohë, personi tjetër nxori nga brezi një pistoletë tjetër, të cilën dyshohet se e përdori për të kërcënuar personat e përfshirë në debatin fillestar. Pavarësisht tensionit dhe pranisë së disa armëve, incidenti u mbyll pa të shtëna.