Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi operacionin e zhvilluar në Maliq, ku humbi jetën efektivi i policisë Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie gjatë përpjekjes për arrestimin e një personi në kërkim.
Në një konferencë për shtyp, Hita shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të rënë në detyrë dhe theksoi se është urdhëruar nisja e një hetimi për të verifikuar të gjithë veprimet e ndërmarra për kapjen e autorit.
“Një punonjës policie i dalluar dhe shembullor ndërroi jetë, dhe mbeti i plagosur një tjetër nga punonjësit e policisë.
Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e Enea Mekollit, i cili humbi jetën gjatë operacionit. Në orën 7:30 të mëngjesit, forcat policore kanë mbërritur ku strehohej ky person. Ky person ishte i dënuar me 9 vite nga Gjykata e Korçës, ndërsa në vitin 2011 i ishte caktuar masa arrest me burg për kultivimin e lëndëve narkotike.
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, punonjësit e policisë kanë shkëmbyer zjarr, ku mbeti i plagosur edhe i kërkuari. Për të ishin caktuar edhe operacione të tjera, por nuk ishte bërë e mundur arrestimi i tij.
Kam urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme për të nisur një hetim për punën që është bërë për të kapur këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor.
I shpreh ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit dhe shërim të shpejtë për kolegun tjetër.
Ata që sulmojnë punonjësit e policisë, do të ndëshkohen maksimalisht. Gjaku i Eneas nuk do të harrohet kurrë.
Kur është kryer operacioni nuk kam pasur dijeni, ky operacion është kryer nga Policia e Korçës.
Punonjësit e policisë janë të gjithë të trajnuar, edhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara siç janë ‘Shqiponja’. Në gjykimin e drejtuesve të Drejtorisë Korçë, këto kanë qenë strukturat.
Kanë qenë 40 forca policie. Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori e ka çarë edhe antiplumbin.
Patjetër që duhet të bëhet më e mira në këtë drejtim”, tha Hita.
