Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, ka thyer heshtjen pas kallëzimit penal të dorëzuar ndaj saj në SPAK nga avokatët e familjes Bajri.

Ajo u shpreh e palëkundur, duke theksuar se mesazhi i saj i publikuar në rrjetet sociale më 17 qershor 2026 ishte i bazuar mbi fakte të forta dhe se nuk ndjehet aspak e shqetësuar nga hapat ligjorë të ndërmarrë ndaj saj.

Duke konfirmuar se nuk do të shtojë asgjë më shumë mbi këtë çështje, Koçeku vuri theksin te natyra ekskluzivisht politike e betejës së saj.

Kujtojmë se tensioni lindi pasi deputetja, menjëherë pas largimit nga grupi parlamentar socialist, postoi një mesazh të ashpër drejtuar Bajrajve të Shkodrës, ku shkruante, “Nëse familjes teme i preket qoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”.

Deklarata e Koçekut:

“Unë e kam dhënë mesazhin tim publikisht në lidhje me këtë gjë. Kam zgjedhur ta jap publikisht dhe është një mesazh i fortë dhe mbi baza të forta. Mendoj se gjithçka që kam dashur të them në lidhje me këtë gjë e kam dhënë përmes atij mesazhi. Jam mjaftuar me atë mesazh, sepse besoj se ai mesazh ka treguar mjaftueshëm. Ai ka qenë një mesazh i fortë dhe, siç e thashë, mbi baza të forta, kështu që i qëndroj atij mesazhi dhe besoj se është i mjaftueshëm ai mesazh.

E kam parë nëpërmjet mediave që avokatët e Bajrit më kanë kallëzuar në SPAK, por nuk më shqetëson aspak. Jam mjaftuar me atë status. Nuk kam pasur reagim nga institucionet dhe mendoj që, nga ana ime, reagimi është bërë mjaftueshëm dhe mund të kuptohet mjaftueshëm ajo që kam dashur të them publikisht. Lufta ime nuk është kundër individëve të caktuar apo familjeve të veçanta. Lufta ime është tërësisht luftë politike dhe do të mbetet politike deri në fund.

Preferoj që veprimtarinë time ta mbaj me vëmendjen te çështja politike dhe jo te çështje të tjera që mendoj se nuk kanë shumë rëndësi në këtë rast. Nuk e di të them pse ka ndodhur kjo gjë me Bajrin. Unë kam punuar në zonat rurale me njerëzit e ndershëm që kanë punuar në bujqësi. Nuk di çfarë të them për këto gjëra, i përkasin drejtësisë dhe çdo veprim në të mirën publike unë do ta mbështes. Çdo institucion të drejtësisë që lufton”, tha Koceku.