Mbrëmjen e sotme, “Top Story” shkoi në dyert e shtëpive të përmbytura të banorëve të Kurbinit, konkretisht të fshatit Adriatik. Banorët e shtëpive që nuk janë larguar ende nga zona thanë se situata nuk ka qenë kurrë e tillë edhe pse zona ka pasur herë pas here përmbytje.
“Rritja e nivelit të ujit ka ardhur për shkak të çarjes së argjinaturës dhe prurjeve të mëdha të lumit Drojë. Kemi vendosur të mos largohemi sepse kemi blegtori, kemi fëmijë të vegjël dhe s’kemi ç’bëjmë. Ka 3 ditë që është e njëjta situatë, po presim të largohet uji, por vetëm shtohet. Duhet të rrimë jashtë, s’kemi ku të shkojmë se kam 6 fëmijë të vegjël brenda e të moshuar. Ushqime kemi, por problemi është që të mos na sëmuren fëmijët se s’kemi ku t’i çojmë në këto kushte ku jemi tani”, u shpreh një nga banorët e zonës.
Ndërkohë një tjetër banor i fshatit Adriatik ditën e djeshme transferoi në shtëpinë e tij babain 80-vjeçar sepse ishte sëmurë.
“Tani për momentin është më mirë dhe shpresoj të kalojë kjo situatë që të bëjmë ndonjë vizitë më e mirë. I lutemi zotit dhe shtetit të na ndihmojnë të nxjerrim ujin nga shtëpitë”, shprehet ai
Pse ka ardhur kjo situatë?
“Kjo situatë ka ardhur sepse është thyer argjinatura dhe na kalon uji komplet ne sepse nuk është zëvendësuar një tra betoni. Uji kalon nga ne sepse hidrovori këtu nuk e përballon. Pritat thonë që do të vendosen pasi të largohet uji, por siç ju thash uji vetëm po shtohet”, shprehet banori.
Sa kushton që të rregullohet defekti dhe të mos përmbyten më shtëpitë tuaja?
“5 milion lekë të vjetra është për të bërë atë betonin aty, për të ndarë ujin dhe të mos mbytet as ana tjetër as ne, por ne e kemi ujin brenda në shtëpi, jo vetëm në ara e stalla. Në 2011 ka qenë hera e fundit që ka pasur përmbytje masive, por absolutisht jo në këtë masë. Un jam rritur këtu dhe në këtë lloj mase s’ka patur përmbytje, këtë herë jemi izoluar totalisht”, thotë banori i zonës.



