Banorët në fshatin Libofshë të Fierit janë shprehur të shqetësuar në lidhje me situatën e përmbytjeve, pas çarjes së argjinaturës së lumit Seman.
Disa prej tyre thonë se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, për shkak të izolimit të zonës nga uji. Banorët bëjnë apel për ndihmë urgjente ndërsa vijon operacioni për evakuimin e tyre dhe të bagëtive të izoluara, ndërsa shprehen se primare për ta janë shpëtimi i jetëve njerëzore.
“Kam 300 kokë bagëti, nuk i nxorëm dot sepse erdhi uji me forcë. Atje kam burrin dhe djalin, të ikin të lënë delet, dua të iki t’i shoh”, tha një banore.
“Prej dje janë shqyer argjinaturat. Kjo është hera e parë, jam 53 vjeç dhe nuk ka ndodhur një përmbytje e tillë më parë. Shkak janë mos mirëmbajtja e argjinaturave”, u shpreh një tjetër.
“Është çobani lart, kanë tre ditë pa bukë nuk e dimë as ku janë. Nuk kanë bateri në telefon dhe nuk dimë se çfarë bëhet. Duam t’i nxjerrim që atje, nuk po pyesim më për mallin, duam vetëm të shohim për njerëzit, jetët e njerëzve”, deklaron një tjetër banor.




