Në rrëfimin audio që zbulohet për herë të parë nga Inside Story, Erjoni rrëfen se në vendin ku ju ekzektuan familjarët, zakonisht qëndronte një patrullë policie. Por natën e krimit, edhe pse prag festash, patrulla e zakonshme ishte zhdukur… kjo, i ndezi dyshimet.

“Tentova të ndihmoj Endritin me shumë forcë por ishte e kotë, se i kishte marrë të gjithë plumbat në një anë.. Në sallë të operacionit rri pres pas derës, mbaj mend që i thashë doktorit: ‘të jap shpirtin vetëm ma ngjall vëllain’. Pastaj marr lajmin që kishte ndërruar jetë…..”

Ai moment, ishte fundi i Endritit. Një bos i kokainës i panjohur publikisht, por mjaft i njohur në biznesin e drogës. Por, ishte fillimi i një lufte që do t’i vinte flakën Elbasanit. Një luftë që do zbulonte dy grupe që nuk ishin përmendur kurrë, por, që qarkullonin qindra milionë euro nga trafiku i narkotikëve.

“Endriti ka qenë njeri që kishte shumë njohje në trafikun e drogës. Shumë njohje, shumë lidhje, edhe ishte nga ata njerëz që kërkonin të gjithë të punonin me të. Njerëz me potencë, sepse ishte shumë i aftë, dhe kishte shumë mundësi për shitje të brendshme. Të gjithë ja kishin nevojën. Kur them të gjithë, kam emra pa fund, pa fund për të thënë…”