Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjurmë të kësaj skeme shfaqen në disa prej zonave më të lakmuara të vendit, nga projektet e ndërtimit në Tiranë deri te komplekset turistike në bregdetin e jugut.
Në komunikime përmenden negociata me shtetas turq, marrëveshje ende të pambyllura dhe çka bën mjaft përshtypje, vizita të planifikuara në Zvërnec për të parë prona me interes zhvillimi.
Këto zbulime përbëjnë momentin kur SPAK çel hetimin edhe për mënyrën e përfitimit të pronave në Zvërnec, e shndërruar sot në çështjen më sensitive në vend. Madje, çështje nga e cila gjetën origjinë protestat që zgjasin prej javësh në Tiranë e kryeqytete të mbarë botës ku ndodhet komunitet shqiptar…
‘Për pasurinë me nr. 262, Zona Kadastrale 1007, vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili ka shërbyer për të regjistruar pasurinë është prishur nga Gjykata e Lartë dhe gjatë procesit gjyqësor civil, është provuar përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në drejtim të përfitimit të pronësisë, konkretisht i dokumentit “Regjistri i Daimit i vitit 1318, Nr. rendor 47, e nxjerrë nga Arkivi Qendror me shkresën nr. 2195/3 datë 14 Kalendari Osman, nxjerrë nga faqja 126, V 1318, D.17 fl. 137-139 paraqitur nga shtetasi Pëllumb Petritaj, nuk duhet të vlerësohet si i vërtetë dhe nuk merret parasysh si provë’ dosja hetimore.
“Vetë vepra penale e falsifikimit dhe po themi raste konkrete që shërbejnë si një instrument për të shkuar tek arritja e qëllimit, pra përfitimi i pasurisë nëpërmjet falsifikimit, apo edhe pastrimit të produktit nëpërmjet falsifikimit’ u shpreh avokati, Dritan Jahja.
“Nëse provohet që dokumentet me të cilat është përfituar pronësia, dokumente të falsifikuara, do të thotë që pronari fundor duhet të kthehet gjithmonë shteti. Dhe shteti mund të vendosë kontratat e shitjes që ka me palët e treta, por duke marrë përfitimet e këtyre kontratave’ u shpreh avokati, Rezart Kthupi.
Sipas hetimeve, ekzistojnë dyshime se një pjesë e këtyre pasurive që zotërohen nga Artur Shehu janë përfituar mbi bazën e dokumentacionit të manipuluar.
“Pasuritë janë tjetërsuar nëpërmjet veprimeve juridike të ndryshme me qëllim fshehjen e origjinës dhe vështirësimin e gjurmimit të tyre.”
Hetuesit përshkruajnë një mekanizëm ku prona krijohej në letra, zgjerohej artificialisht dhe më pas kalonte nga një dorë në tjetrën derisa humbiste gjurmën e origjinës së saj.
“Nga hetimet kanë rezultuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e ndodhura në Zvërnec janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nëpërmjet falsifikimeve dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara për njohjen dhe regjistrimin e pronësisë.”
Referuar SPAK, në komunikimet e dekriptuara në Sky ECC zbardhen një sërë bisedash që lidhen drejtpërdrejt me lëvizjet në zonën e Zvërnecit dhe mënyrën e menaxhimit të këtyre pronave.
Në një prej komunikimeve, Adrian Rama bisedon me Alfredo Hamzain për një vizitë në Vlorë dhe në Zvërnec, ku disa persona do të shkonin për të parë nga afër pronat.
Rama: “Vila po më thotë kusho që të dielën ose të hënën duhet të jesh në Vlorë… me shku në Zvërnec me pa ato pronat me gomone… se vijnë ca miq…”
Hamzai: “Të merr në tel ai vet… do vij dhe cob me ty m’tha… Klodi… ok vlla.”
Në një tjetër komunikim të së njëjtës periudhë shfaqen diskutime për çmimet e tokave dhe interesin për investime në zonë.
Rama: “Cpb vlla… paska fol për Zvërnecin për çmim toke… mos i thuaj gjë… se po më marrin në telefon… po pyesin për çmimin e tokës…”
Rama: “Kanë fol për çmim për Palasë dhe për Zvërnec… kusho po jep çmim tani… mos dalim bllof…”
Sipas SPAK, këto komunikime tregojnë se diskutimet nuk kufizoheshin vetëm në vizita në terren, por përfshinin edhe përcaktimin e vlerave të tokave dhe orientimin e investimeve të ardhshme.
Në biseda të tjera të administruara nga hetuesit përmendet edhe angazhimi i personave të ndryshëm për të sjellë investitorë dhe persona të huaj për të parë nga afër pronat në Zvërnec, duke e trajtuar zonën si objekt zhvillimi të koordinuar.
“Thjesht vetë takimi nuk përbën vepër penale, por ajo duhet të kanalizohet në veprime hetimore, që çfarë është arritur, çfarë bën, dhe çfarë veprimesh kanë kryer pas këtij takimi organizatorët e këtij grupimi. Pra, mund të ndodhë që në kohë të realizohet një vepër penale, por duhet të provohet që ky veprim kriminal apo i paligjshëm ka ardhur si rezultat i organizimit të këtij takimi’ u shpreh avokati, Dritan Jahaj.
Vetëm në këtë episod të hetimit janë bllokuar tre transaksione të lidhura me shitblerjen e tokave në Zvërnec, me një vlerë që arrin rreth 128 milionë euro, para që sipas hetuesve rrezikonin të hynin në qarkullim përmes projekteve të zhvillimit dhe investimeve në pasuri të paluajtshme.
Pikërisht për këtë arsye, krahas urdhër-arresteve, SPAK vendosi sekuestron mbi një prej kapitujve më të debatueshëm të bregdetit shqiptar. Një zonë ku, sipas dosjes, vlera e tokës nuk matet vetëm me atë që ka në sipërfaqe, por edhe me milionat që dyshohet se mund të përthithë dhe të legjitimojë përmes investimeve.
Inside Story mëson se lidhur me këtë çështje SPAK vijon të kryejë hetime intensive për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të cilët i janë nënshtruar kontrolleve.
Sipas informacioneve, kontrollet janë kryer në banesa e zyra të biznesmenëve të njohur, ndaj ish-zyrtarëve të drejtësisë e ish-magjistratë, por edhe zyrtarëve të ndryshëm.
“Të gjitha aktet që lidhen me fitimin e pronësisë, sidomos sendeve të paluajtshme, në këtë rast flasim për apartamente dhe çdo gjë që është e trupëzuar, ndjekin një rrugë që është shumë strikte ligjore. Që do të thotë duhet të kalojnë nga ana dokumentare, duhet të kalojnë në llogari noteriale, kështu që gjurmimi i të gjithë këtyre letrave dhe i parave që çojnë tek fitimi i pronësisë është shumë më i thjeshtë sesa në rastet e tjera kur bëhet fjalë për kalime apo transferime shumash monetare’ u shpreh avokati, Rezart Kthupi.
Përpos shtrirjes së investimeve në Jug, nipërit e Mirit të Xhikes së bashku me Artur Shehun janë shfaqur edhe në interesa trojesh në Tiranë. Shumë pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, SPAK pretendon se grupi kishte nisur prej vitesh lëvizjet për të vënë nën kontroll një tjetër truall strategjik në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”.
