Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është rikthyer sot në Kuvend, pas zgjedhjeve ku për herë të parë nuk kandidoi për një mandat.

Ajo ka komentuar me gazetarët rezultatet, nga i cili edhe ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta nuk mundi të fitonte një mandat për të qenë pjesë e Parlamentit të ri.

Kryemadhi u shpreh se “karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës e as e dikujt tjetër”, ndërsa shtoi se e vetmja keqardhje që ka është se edhe pse njerëzit ndihen shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, janë shumë më të pakënaqur, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor në qeverisë. E pyetur për humbjen e Metës, Kryemadhi tha se nuk ka përgjegjësi për këtë rezultat.

“Karrigia e Parlamentit nuk është as e Monikës e as e dikujt tjetër, por është e lëvizshme dhe vazhdon të lëvizi. Të vetmen keqardhje që kam është se njerëzit ndihen shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, janë shumë më të pakënaqur, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor në qeverisë.

Patjetër që kam keqardhje për Ilir Metën. Por nuk shoh ndonjë përgjegjësi të madhe, unë nuk kam bërë dhe nuk kam qenë liderë e fushatës së tij, unë s’kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën.”- tha ajo.