Ka reaguar për mediat 58-vjeçarja, e cila tentoi të vetëdigjet me benzinë në Durrës është shprehur se ka pasur disa arsye që e kanë detyruar të merrte këtë vendim.
Ajo thotë se ka kërkuar ndihmë disa herë nëpër dyert e Bashkisë së Durrësit, por asnjëherë nuk është ndihmuar. E moshuara duke folur nga spitali ka thënë se një nga intitucionet financiare të mikrokredive e kishte vënë nën presion për të bërë pagesat e një kredie që kishte marrë.
Gjithashtu 58-vjeçarja shprehet se ishte detyruar të merrte kredi për të blerë ilaçet, ndërsa pensioni prej 90 mijë lekë të vjetra nuk i mjaftonte as për bukë e ushqime.
“Kam kërkuar ndihmë kudo, më bëjnë presion për një kredi, ka 6-7 muaj. Kam qenë e rregullt me pagesën muaj për muaj. Nuk kisha mundësi më, djali e kishte pagën e ulët. Më morën nga mikrokredia që ta paguaja, ose paguaje ose do të çojmë në gjykatë dhe të heqim pensionin. Po më detyroni të bëj një veprim që s’dua ta bëj, u thashë.
Shkova një javë rresht te banka. Më mori një djalë i thashë s’kam mundësi ta paguaj, s’më intereson më tha. Kisha për të paguar 200 mijë lekë, për ilaçe e bukë më duheshin se bënin 250 mijë lekë ilaçet. Ndaj dogja veten, më thanë që më kanë çuar në gjykatë. 1 milion pata marrë. Këtu bashkia s’na jep asgjë, pse na përmçojnë ne? 90 mijë lekë pension, nuk na del, jam me qira.
I kam 600 mijë lekë edhe pronarit. Jetoj vetëm me djalin. Punon djali, me 450 mijë lekë. Kam borxhe të tjera, qira, kredi. Edhe 2020, te bashkia s’më japin asnjë lloj drejtimi, ndaj mora kredi. S’kam bukë, s’kam ushqim, të më ndihmojnë me kredinë, për qiranë”, tha ajo.