Personi që shihni në foton e mësipërme është Suzana Doda, e cila u arrestua sot pasi kishte ngritur një skemë mashtrimi me pronat.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Doda, në bashkëpunim me Sara Ndoj, kishte ngritur një skemë mashtrimi, duke u premtuar qytetarëve zgjidhjen e problemeve pronësore përmes ndërhyrjeve të rreme pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Për t’i joshur viktimat dhe për t’u dhënë besueshmëri, ato i pajisnin ata edhe me dokumente dhe certifikata që dyshohet se janë të falsifikuara.
Nga kjo veprimtari e paligjshme, të dyshuarat kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme monetare, të cilat llogariten në mbi 100 mijë euro. Gjatë kontrolleve të ushtruara, shërbimet e policisë sekuestruan një sasi parash në euro, pajisje celulare, si dhe disa dokumente e certifikata pronësie të falsifikuara.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet mashtrimi.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Premtimi”.
Dyshohet se kanë përvetësuar mbi 100 000 euro, duke mashtruar qytetarë, se do të ndërhynin në AShK, për t’iu zgjidhur rastet pronësore, dhe duke i pajisur me dokumente false, vihet në pranga 58-vjeçarja dhe në hetim bashkëpunëtorja e saj.
Sekuestrohen një shumë eurosh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, disa certifikata të dyshuara të falsifikuara dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të gazetarëve të emisionit investigativ “STOP”, se ishin kontaktuar nga shtetas të ndryshëm të pajisur me dokumente false nga një shtetase, e cila i kishte mashtruar se mund t’iu zgjidhte çështjet pronësore, pasi kishte të njohur në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, ndaluan dhe vunë në pranga të dyshuarën, shtetasen S. D., 58 vjeçe.
