Autori i dyshuar i grabitjes një ditë më parë në një pikë këmbimi valutor në qendër tregtare, 42-vjeçari Luan Maçi, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Ai ka pretenduar se u detyrua të kryente grabitjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.

Sipas hetimeve, Maçi hyri në orët e para të mëngjesit në pikën “Exchange” të ‘Western Union’ në rrugën “5 Maji”, ku kërcënoi punonjësen me armë zjarri dhe mori një shumë prej rreth 1.2 milionë lekësh.

“Planifikoja grabitjen që më përpara, por pas tentativës për të grabitur bankën në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe vendosa ta shtyja. Isha i detyruar, sepse kam shumë borxhe dhe një nënë të sëmurë në gjendje shumë të rëndë,” deklaroi Maçi

42-vjeçari, që ka precedentë të mëparshëm penalë, ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante mjekër gjatë grabitjes.

Hetuesit dyshojnë se ai e ka rruar mjekrën pasi u kthye në banesë për të ndryshuar pamjen dhe shmangur identifikimin nga policia.