Është zbardhur deklarata e Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinajt, në Gjykatën e Posaçme, gjatë seancës për pasurinë e tij.

Martinaj deklaroi se në periudha të vështira ka qarkulluar shuma të mëdha parash në cash, duke thënë se “kam ecur me 800 mijë dollarë në makinë” gjatë viteve të trazirave. Sipas dëshmisë së tij, aktiviteti financiar ka qenë i deklaruar dhe i lidhur me punën e tij në atë kohë, duke përmendur edhe periudhën e vitit 1999, kur sipas tij situata në vend ishte e pasigurt për shkak të pranisë së bandave kriminale.

Mustafa Martinaj foli edhe për jetën e djalit të tij, duke thënë se Ervisi ka studiuar ekonomi në Itali, në Parma, rreth viteve 2000-2001, me bursë studimi, por më pas është kthyer në Shqipëri për të jetuar me familjen. Ai shtoi se djali i tij ka qenë i përfshirë në aktivitete të ndryshme dhe se familja ka ndihmuar financiarisht në disa raste, përfshirë blerje pronash dhe automjetesh.

Në dëshminë e tij, ai përmendi gjithashtu se ka pasur aktivitet biznesi në sektorin financiar privat, duke iu referuar një institucioni financiar të quajtur “Unioni Financiar i Tiranës”, ku sipas tij janë kryer transaksione të shumta në atë periudhë.

“Jam me profesion ekonomist, kam pësuar aksident në fund të viteve ‘90, shumë të rëndë, jam kuruar në Romë dhe pas rikthimit në Shqipëri, kam filluar punë si drejtor i Dhomës Gjyqësore në Laç, Lezhë e Mirditë. Pas ‘97, jam marrë me aktivitet privat, e kam nisur me një kancelari e fotokopje, jam marrë në 3 vjet me kambizëm, kam filluar punë si administrator ekskluziv i UBT i rrethit Laç me 3 pika, kam punuar në Mirditë, Mat e Fushë-Krujë, me punë voluminoze me të ardhura të jashtëzakonshme.

Kemi parasysh kohën, luftën e Kosovës, remitancat shumë të larta. Kam qenë në gjithë Shqipërinë, kam pasur ekskluzivitet në 4 rrethe. Ervisi ishte në vit të 3 gjimnaz, motrat edhe më të vogla. Gjatë kësaj kohe më ka ecur shumë mirë puna. UBT është edhe sot në aktivitet, mund ta verifikoni. Në 2007, kam punuar si administrator i Union Bank Laç, por edhe shërbimet bankare. Nga ky aktivitet, ishin diku te 60 mijë dollarë të ardhura, dytësore për mua. Të gjitha aktivitetet e mia, periudhë shumë e vështirë z. Kryetar, jam sulmuar padrejtësisht. Banka e Kursimeve që ka pasur aktivitetin kryesor nuk ekziston dhe s’ka asnjë dokument, bankat e tjera kryesisht as 30 % të aktivitetit tim nuk është pasqyruar.

Kam rreth 3.5 mln euro të ardhura, me rreth 6 mln kredi, këto jam në gjendje t’i vërtetoj me vendimet e bankës. Për shoqërinë UBT janë deklaruar një pjesë e madhe. Kam blerë përmes bankës ‘Arbëria, ku kam marrë kredi bankare për këtë punë. Për secilin nga rastet veprimet janë me bankë. Mund t’ju paraqes dokumentet në çdo moment. Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, nga ana juaj asnjë sinjalizim.

Deri në 2008 asnjë nga fëmijët nuk bënte punë, ishin në shkolle. Ervis Martinaj ishte student në Parma të Italisë, ka shkuar rreth vitit 2000-2001 me burse dhe studioi ekonomi. Vajzat ishin në shkollë në Shqipëri. Kur ato filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me to dhe më pas u vendos në Tiranë. Më vonë ata u martuan. Banesa u mor, nëse nuk gaboj, në fund të vitit 2005. Visi ka qenë mbi mesataren në studime. Dëshironte të vazhdonte shkollën në Itali, por i la përgjysmë studimet dhe erdhi në Tiranë tek motrat. Deri sa ishte në shkollë, ka qenë shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia, në Itali nuk kishte bërë asnjë punë. Më ka kërkuar ndihmë për të blerë një shtëpi të përbashkët. Kam blerë dy makina, një për dy vajzat dhe një për Visin. Për vajzat kam marrë kredi 12,500 euro, për një makinë të vogël markë japoneze. Nuk kam pasur asnjë shqetësim nga djali. Kisha çelësat, “dora e thatë nuk puthet”. Jemi familje tradicionale malësore.Ka hapur një biznes me një shok; emrin nuk e kujtoj, por po ta kërkoj mund ta gjej. Ishte një djalë nga Tirana, riparonin lodra, lodrat që luanin fëmijët me kuaj.

Unë, që më sheh këtu, invalid siç isha, kam qarkulluar i vetëm në Tiranë me mbi 800 mijë dollarë cash, karta dhe telefona, në orën 12 të natës, në periudhën më të vështirë të vitit ‘99, kur bandat ishin në rrugë. Kam pasur një makinë 2400 dhe i çoja paratë në bagazh në Rubik e Rrëshen; ishin paratë e aktivitetit tim. UFT ishte institucion privat, Unioni Financiar i Tiranës, aty merrja shumat. Asnjë gërvishtje nuk më ka ndodhur; kam luajtur me kokën time, ndërsa të tjerëve u ndodhin incidente”-, tha ai.