Nga Peqini, kandidati i koalicionit opozitar, Tomor Alizoti, përsëriti me tone edhe më të forta deklaratën e bujshme që kishte bërë më parë në Elbasan, duke sfiduar kryeministrin Edi Rama për debat publik.

“Në fjalimin e fundit janë mërzitur shumë grupe kriminale dhe ata që duhet të mërziteshin, sepse demokratët e kanë thyer frikën,” tha Alizoti. “Rama është fshehur, bën monolog me mikrofon para pasqyrës sepse ka frikë të përballet. Po deshi le të dali me mua, se unë kam qejf ta ha të gjallë.”

Duke vijuar me një ton ironik, Alizoti shtoi: “Megjithëse ai nuk hahet, vetëm po t’i hedhë pak kripë Nusreti,” duke iu referuar kuzhinierit të njohur turk. Ai nuk la pa përmendur as figura të tjera të mazhorancës, duke thënë: “Na ishte mërzitur Taulant Balla, e kuptoni sa qesharak? Çuni i Kristaqit e ka në gjenetikë i ha shokët e vet. Doktor, të kanë frikë!”

Fjalimi i Alizotit u shoqërua me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit, ndërsa ai duket se po e përdor sfidën publike dhe gjuhën e drejtpërdrejtë si pjesë të strategjisë elektorale.