7 drejtues mjetesh janë arrestuar në Tiranë dhe 22 automjete janë bllokuar gjatë 72 orëve të fundit, në kuadër të kontrolleve të Policisë Rrugore.

Gjatë monitorimit 24 orë në 24 në akset me frekuentim të lartë, janë vendosur mbi 6 mijë masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Njoftimi:

Tiranë/Policia Rrugore vijon monitorimin 24/7, të qarkullimit të mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Monitorimi dhe kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë përqendruar në akset rrugore me frekuentim të lartë.

Si rezultat, janë arrestuar 7 drejtues mjetesh për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, janë bllokuar 22 mjete dhe janë tërhequr 20 leje qarkullimi.

U procedua dhe 1 drejtues mjeti, i cili u konstatua gjatë kontrolleve në rrugën “Urani Pano”, duke drejtuar mjetin, në efektin e alkoolit, në masën 0.17 mg/l, dhe për të shmangur masën administrative, i ka ofruar punonjësit të Policisë, 2000 lekë.

Gjithashtu, në kuadër të kontrolleve, janë vendosur në total 6819 masa administrative, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, si më poshtë:

* 5062 për qëndrim të gabuar;
* 641 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse/jelekut fosforeshent;
* 193 për mosvendosje të rripit të sigurimit;
* 166 për mosdhënie përparësie këmbësorëve;
* 164 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
* 74 për parakalime të gabuara;
* 59 për tejkalim të shpejtësisë;
* 10 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
* 289 për mosrespektim të sinjalistikës rrugore, si dhe masa të tjera për shkelje të rregullave të qarkullimit.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për kujdes të shtuar gjatë fundjavës, respektim të kufijve të shpejtësisë dhe sinjalistikës, përdorim të rripit dhe kaskës mbrojtëse, si dhe mosdrejtim të automjetit në efektin e alkoolit.

Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së të gjithë përdoruesve të rrugës.