Me sytë nga Shqipëria dhe Kosova, Belgjika po shqyrton mundësi të reja për të rritur numrin e emigrantëve të paligjshëm që largohen nga vendi.

Ministrja belge e Azilit dhe Migracionit, Anneleen Van Bossuyt ka deklaruar se qeveria po merr në konsideratë “çdo zgjidhje të mundshme”, përfshirë edhe marrjen me qira të hapësirave në burgje jashtë Belgjikës për të strehuar të burgosur të huaj.

Në një intervistë, Van Bossuyt tha se Belgjika është e hapur për partneritete me vende të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, si pjesë e masave kundër emigracionit të paligjshëm. Ajo konfirmoi se së fundmi ka qenë në Shqipëri dhe në Kosovë për të eksploruar mundësitë e strehimit të të burgosurve të huaj.

“Po shqyrtojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga opsionet që po diskutojmë me Ministrinë e Drejtësisë,” u shpreh ministrja belge.

Sipas saj, në rastin e Shqipërisë, diskutimet kanë të bëjnë me strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënime në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, synimi është transferimi i personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgjet e saj, pavarësisht kombësisë.

Danimarka ka nisur tashmë një skemë të ngjashme, duke dërguar në Kosovë të huaj, të cilët duhet të vuajnë dënimin  përpara kthimit në vendet e origjinës. Po ashtu, Italia ka hapur vitin e kaluar qendra ndalimi për emigrantët në Shqipëri, një praktikë që ka ngjallur debate ligjore dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Van Bossuyt theksoi se Belgjika është e hapur edhe për marrëveshje përtej Ballkanit Perëndimor.

“Ishim në Shqipëri dhe Kosovë dhe folëm me ministrat përkatës, por mund të ketë edhe vende të tjera. E rëndësishme është të shohim se ku mund të mbështetemi te një zgjidhje e tillë,” tha ajo.

E pyetur nëse Belgjika do të konsideronte zgjidhje të ngjashme edhe për emigrantë që qëndrojnë ilegalisht në vend, por nuk janë të dënuar, ministrja u shpreh se kjo mund të shqyrtohet në kuadër të një marrëveshjeje të re të Bashkimit Evropian, e cila do të lejonte dërgimin e tyre në të ashtuquajturat “qendra kthimi” jashtë BE-së, në vende që konsiderohen të sigurta.