Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e pesë ekipeve finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për Kampusin e Ri të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Gjatë fjalës së tij, Rama e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për transformimin e arsimit të lartë në Shqipëri, duke theksuar se synimi është krijimi i një kampusi modern ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore të funksionojnë si pjesë e një ekosistemi të përbashkët zhvillimi.

Sipas kryeministrit, kampusi i ri nuk do të jetë vetëm një hapësirë akademike, por një qendër e integruar që synon të afrojë studentët me teknologjinë, tregun e punës dhe projektet inovative.

Rama deklaroi gjithashtu se kjo iniciativë lidhet drejtpërdrejt me kërkesat e ngritura nga studentët gjatë protestës së vitit 2018, duke e konsideruar projektin si një përgjigje konkrete ndaj nevojës për modernizimin e universiteteve publike në vend.