Dy të rinjtë u kapën pasi kishin mbjellë dy bimë, ndërsa tri të tjera i kishin në qese


Dy të rinjtë e arrestuar për kultivim të bimëve narkotike brenda territorit portal u kapën ndërsa ishin ende duke i mbjellë bimët e ndaluara. Ndërkohë, konstatimi i vendit të shndërruar në parcelë të bimës së ndaluar është shoqëruar edhe me sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të pesë rrënjëve kanabis sativa. Ditën e mërkurë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës deklaroi përmes komunikatës ditore arrestimin në flagrancë të shtetasve Orges Dervishi, 21 vjeç dhe Fatjon Dani, 23 vjeç, të dy nga qyteti i Durrësit ndonëse banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit bregdetar. Sipas këtij burimi zyrtar, arrestimi i tyre u bë pasi rreth orës 13.00 janë kapur në flagrancë në një magazinë dherash në Portin e Durrësit. Në një sipërfaqe prej afro 20 metrash katrorë, dy të rinjtë kanë kultivuar bimën narkotike. Në ambientet e magazinës, të mbrojtur nga sytë e autoriteteve, dy të rinjtë kishin mbjellë dy rrënjë kanabis sativa, ndërsa tre të tjera ishin të vendosura në qese plastmasi, gati për t’u mbjellë. Policia tha se bimët e gjetura janë të ngjashme me kanabis sativën dhe kjo çoi në arrestimin e dy të rinjve dhe nisjen e hetimeve për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim. Dy të rinjtë jo vetëm nuk i janë trembur forcës së ligjit, por edhe e kanë sfiduar atë në një nga zonat që konsiderohet nga më të sigurtat, për shkak të mbikëqyrjes dhe kontrollit të disa autoriteteve shtetërore për arsye të aktiviteteve që kryhen në territorin portual. Hetimet e mëtejshme mbi rastin dhe përfshirjen e personave të tjerë në të i kanë kaluar organit të akuzës durrsake, nga të cilat pritet të zbardhet edhe destinacioni i bimës narkotike, kultivimi i së cilës në port dëshmon se ishte një mënyrë për ta transportuar atë në rrugë detare drejt Italisë. Megjithatë, burime policore bëjnë të ditur se për aq kohë sa hyrje-daljet nga porti bazohen vetëm në lejet e nxjerra nga Autoriteti Portual dhe kontrollohen nga forcat e sigurisë portuale, kanabisi mund të dilte nga ky territor për t’u hedhur në tregun lokal. Dy të rinjtë e kapur në flagrancë kishin zgjedhur territorin ku më parë ngrihej kantieri detar, aksioner kryesor i të cilit ishte shoqëria turke “Durrës Kurum Shipping” sh.a., e cila ia kaloi në administrim territorin ku ushtronte aktivitetin e vet Autoritetit Portual Durrës, pas një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe Kurumit në kuadër të masterplanit të portit më të madh të vendit. Të rinjtë dyshohet nga hetimet paraprake se kanë shfrytëzuar kohën kur kompania turke ka lënë të lirë territorin dhe kanë vendosur të kultivojnë bimën narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave nga shitja e saj.


V.Qyrfyçi