Ekonomi: Shërbimi do të ofrohet në 11 spitale të vendit. Prioritet, arsimtarët
Duke qenë se tetori është muaji i sensibilizimit ndaj kancerit të gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të ofrojë mamografi falas për zonjat e moshës 50 vjeç e sipër. Zyrtarisht mësohet se shërbimi falas do të ofrohet në 11 spitale të vendit, ndërsa prioritet në listën e përfituesve do të kenë arsimtarët. Milva Ekonomi, zëvendësministre e Shëndetësisë, sqaron për gazetën “Shqip”, se prioriteti që do t’u jepet mësuesve vjen si shkak i kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë ata me brezin e ri. Kjo do të thotë se arsimtarët mund edhe të sensibilizojnë vajzat mbi sëmundjen e kancerit të gjirit, që jo rrallë herë ka sjellë pasoja fatale për jetën, e sidomos në vendin tonë, ku informacioni në këtë drejtim ka qenë i mangët. Po gjatë këtij muaji, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, në kryeqytet, kryesisht në periferitë e Tiranës, dy autoambulanca të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e mamografive falas për mesogratë, kanë filluar të lëvizin në Tiranë. “Më datë 24 shtator, ministri Beqaj ka nxjerrë një urdhër, ku parashikohet ofrimi i shërbimit të mamografisë falas për femrat mbi 50 vjeç. Përveç kësaj, autoambulancat, të cilësuara si ambulancat e shpresës, janë një tjetër nismë e re e Ministrisë së Shëndetësisë, që synon kontrolle falas për zbulimin apo parandalimin e kancerit të gjirit. Kjo ambulancë është rreth e përqark Tiranës dhe do të shëtisë kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit, për shkak se këtu mungon ndërgjegjësimi dhe kultura për të shkuar drejt mjekut”, theksoi zëvendësministrja e Shëndetësisë. Ekonomi shtoi se rritja e numrit të personave të prekur nga kjo sëmundje ka bërë që angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë të jetë më i madh. Zëvendësministrja pohon se ka shtim të numrit të femrave të prekura nga kanceri i gjirit, për këtë arsye janë blerë dy herë më shumë citostatikë. “Në QSUT pritet që shumë shpejt të vihet në punë edhe një aksilerator tjetër, i cili është blerë dhe është në fazën e fundit të instalimit. Një tjetër element i rëndësishëm është të pasurit e një regjistri kombëtar për numrin e femrave të prekura nga kjo sëmundje, problem i mbartur në vite, por që pritet të gjejë zgjidhje së shpejti”, shpjegoi Ekonomi. I.Hoxha