Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike tashmë ka hyrë në një tjetër fazë, atë të plotësimit të formularit të vetëdeklarimit të figurës dhe integritetit. Rreth 900 kandidatë të kualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve mes 3648 kandidatëve të propozuar nga anëtarësia, me përjashtim të kupolës drejtuese të PD dhe rrethit të saj, kanë nisur të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. Pjesë e rëndësishme e formularit, përpos të tjerave, është edhe deklarimi i pasurisë. Kandidatët duhet të deklarojnë të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme të akumuluar ndër vite dhe deri në momentin e dorëzimit të formularit. Kandidatët duhet gjithashtu të deklarojnë edhe pasuritë në emër të bashkëshortëve, bashkëjetueseve dhe fëmijëve të tyre madhorë.


Kandidatët duhet të deklarojnë si pasuritë e regjistruara, ashtu edhe të paregjistruara, brenda dhe jashtë vendit, shoqëruar me burimin e krijimit të tyre. Ata duhet të deklarojnë çdo send me vlerë mbi 300 mijë lekë, aksionet nëpër kompani, paratë cash, paratë nëpër banka, borxhet, likuiditetet, të ardhurat nga funksionet publike, organizatat etj. Komisioni do të kërkojë informacion ndaj institucionet shtetërore, nga degët e PD, të bëjë sondazhe dhe të intervistojë kandidatit, për verifikimin e të dhënave.


Por, jo të gjithë kandidatët e kualifikuar nga Komisioni i i Vlerësimit të Kandidatëve do të deklarojnë pasurinë. Janë përjashtuar nga deklarimi i pasurisë dhe nga plotësimi i gjithë formularit për figurën dhe integritetin të gjithë personat që gjatë 10 viteve të fundit kanë qenë deputetë apo kryetar bashkie, si përfaqësues të Partisë Demokratike. Nga ky parashikim favorizues përfiton rrethi ish-deputetëve dhe ish-kryebashkiakëve të PD që nga viti 2010 dhe në vijim, një pjesë prejt të cilëve përbëjnë kupolën drejtuese të PD.


Ndërkaq, vetë Lulzim Bashën, Sali Berisha dhe rrethi i tyre i ngushtë, jo vetëm që nuk do të plotësojnë formularin dhe nuk do të kalojnë filtrat e përzgjedhjes të Komisionit si të tjerët, por ka vendosur që të zgjidhen automatikisht kandidatë për deputetë, si pjesë e kuotës së 20% që zgjedh kryesia e PD-së. Pra, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PD-së përfshin vetëm nivelet e ulëta apo prurjeve të reja./Shqiptarja