Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Vlorës dhe një ndër zërat më aktiv në këtë këshill, Gjergji Nika, ka reaguar pas sulmit të Sali Berishës gjatë konferencës së sotme. Berisha tha se “ai s’ka asnjë lidhje me PD-në”, duke e cilësuar Nikën si “këshilltar të propozuar nga ish-kryetari Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj”.

Në reagimin e tij, Nika shkruan se Berisha e nuk ka dashur kurrë një PD të fortë, të hapur e të bashkuar, por një opozitë të nënshtruar dhe të kontrolluar plotësisht prej tij.

Ai e akuzon kreun e PD-së se përmes përzgjedhjes së kandidatëve të dobët e të majtë, po e çon qëllimisht opozitën drejt humbjes për t’i shërbyer stabilitetit politik të Edi Ramës.

Reagimi i plotë i Gjergji Nika:

Berisha asnjëherë nuk ka dashur një PD të fortë, të hapur e të bashkuar, por një PD dhe opozitë të nënshtruar

Zgjedhjet e pjesshme vendore po e nxjerrin lakuriq një të vërtetë që demokratët duhet ta pranojnë pa iluzione: Sali Berisha nuk ka dashur kurrë një PD të fortë, të hapur e të bashkuar. Ai ka dashur vetëm një PD të nënshtruar, të varur nga vullneti i tij, një opozitë që nuk ngrihet për të fituar, por për të justifikuar humbjet e tij. Prandaj ai vazhdon të investojë në një opozitë të rreme, të kontrolluar dhe të nënshtruar, me qëllimin e vetëm për të mbajtur peng demokratët, për të ruajtur ndikimin personal dhe për të shërbyer si garanci e stabilitetit politik të Edi Ramës.

Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët e paangazhuar, opozitarët e sinqertë, demokratët e vërtetë, dhe të majtët e zhgënjyer të më bashkohen në këtë përpjekje për ta kthyer Vlorën në një qytet që i përket qytetarëve, jo klientelës politike.