Pasardhësi i Çavez përdor tragjedinë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë në fushatë elektorale
Presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolas Maduro, hodhi një mallkim mbi të gjithë qytetarët që nuk do të votojnë për të në zgjedhjet presidenciale të javës së ardhshme. Maduro, një ish-sindikalist shofer autobusi, e krahasoi rivalin e tij Henrique Capriles, me konkuistadorët spanjollë që luftuan popullatën indigjene shumë shekuj më parë.
Një mallkim shumë shekuj i vjetër, tha ai, do të bjerë mbi të gjithë ata që nuk votojnë për të. Capriles u përgjigj duke thënë se i vetmi mallkim për venezuelasit është që Maduro të fitojë zgjedhjet.
Venezuela do të shkojë në zgjedhje të dielën e ardhshme për të zgjedhur një pasardhës për Hugo Çavezin, udhëheqësin që vdiq muajin e kaluar nga kanceri.
Sondazhet sugjerojnë se Maduro, i cili ishte zëvendëspresident në kohën e Çavezit, është së paku 10 pikë para rivalit të tij.
Mallkimi i Marakapanës
Me një kapele indigjenësh në kokë në një miting në shtetin e Amazonës, një zonë përgjithësisht xhungël në kufi me Brazilin dhe Kolumbinë, Maduro tha: “Nëse ndokush nga populli voton kundër Nicolas Maduro, ai po voton kundër vetes së vet dhe mallkimi i Marakapanës po bie mbi të.”
Ai po i referohej një beteje të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur kolonizatorët spanjollë shpartalluan luftëtarët indigjenë.
“Nëse borgjezia fiton, ajo do të privatizojë shëndetësinë dhe arsimi, do të marrë tokën nga indianët. Mallkimi i Marakapanës do të bjerë mbi ju”, vijoi kandidati.
Analistët thonë se besimet e përziera katolike dhe animiste në shumë pjesë të Venezuelës janë një terren pjellor për këtë lloj gjuhe në fushatë elektorale.
Capriles kritikoi retorikën e Maduros. “Çdokush që kërcënon njerëzit, që i thotë popullit se një mallkim do të bjerë mbi ta, nuk ka të drejtë të qeverisë vendin”, tha ai në një miting tjetër. “Unë i them venezuelasve, se mallkimi real është pikërisht ai grup i vogël që ne po shkojmë ta heqim qafe më 14 prill.”
Në zgjedhje ka edhe pesë kandidatë të tjerë, por ata janë shumë më poshtë se dy kandidatët kryesorë.