Kryeministri Edi Rama ka ironizuar dhunën e protestuesve gjatë demostratave në kryeqytet. Gjatë një dalje “Live” në rrjetet sociale ai ka hedhur poshtë pretendimet se në vend mund të kenë mbërritur izraelitët, me qëllim që ta mbështesin dhe të ushtrojnë dhunë mbi protestuesit.

Në fjalën e tij, ai nuk i kurseu kritikat edhe për pretendimet e përfshirjeve të ushtarëve serb në protestë, ndërsa i cilësoi si marrëzi. Kryeministri akuzoi ekstremistët politikë se po nxisin dhe financojnë dhunën, ndërsa i etiketoi protestuesit si ‘kokë boshë’.

“Ata që nuk duan PS në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë dhe është çështje e ditës. Duart e huaja, pse po përpiqet të krijojë idenë që këtu kanë ardhur izraelitët, që këtu, siç thoshte një lajm i rremë i përhapur me shumë shpejtësi, zbresin çdo ditë 1 mijë izraelitë për të më mbështetur mua dhe për të rrahur e vrarë fëmijë? Kujt i intereson? Ky është një konglomerat antifa që frymëzon të rinj të frustruar me ekstremet politike karagjozë, një neo komunist tërësisht i lajthitur dhe një neo ballist nga ana tjetër që nxit dhunë, që paguan për të bërë dhunë dhe që nuk ndalet. Pas ekstremeve politike, qëndron matufi që mbart të keqen e mbrapshtë që e përndjek Shqipërinë prej 1912, vijnë ekstremistët e fesë në një vend që s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë probleme fetare. Ky vend është më i fortë se kurrë në arenën ndërkombëtare. Izraeli është vend mik, siç është Katari. Këta të dy s’kanë marrëdhënie diplomatike. Qershia mbi tortë janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu dhe na qenkan nën uniformën e atyre burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është një marrëzi, por jo kolektive për fat të mirë dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie sepse këtë film ne e kemi parë. Këta s’kanë mend fare, janë komplet kokëboshë”, tha Rama