Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me hakerimin e emaileve të prokurorëve të SPAK, duke e cilësuar ngjarjen si një skandal të rëndë. Ai ngriti dyshime nëse bëhej fjalë për një sulm të jashtëm apo një “vetëhakerim” nga brenda sistemit. Sipas Berishës, kjo tregon se të dhënat e qytetarëve janë të pasigurta dhe mund të manipulohen.
Ai akuzoi Partinë Socialiste për përdorimin politik të drejtësisë dhe e krahasoi këtë rast me publikimin e statuseve të Erion Veliajt, duke pretenduar se po përdoret për të goditur rivalët brenda PS-së. Berisha tha se qytetarët po e kuptojnë gjithnjë e më shumë kontrollin që, sipas tij, Edi Rama ushtron mbi sistemin e drejtësisë.
Sali Berisha: Së pari, më duhet të them se u kthye koha kur dosjet, para se të shkonin në gjykatë, shkonin në Partinë Socialiste. Para shumë vitesh, dosja para se të shkonte në gjykatë, shkonte në PS. Tani hakerohet. A është hakerim, apo vetë hakerim, unë nuk e di, por është gjë shumë, shumë e rëndë.
Dmth, o qytetarë të gjitha të dhënat tuaja, mirren, vidhen, manipulohen dhe nuk kanë asnjë siguri. Çfarë është kjo? Është kjo mundet dhe një luftë e brendshme, brenda klaneve mafioze brenda PS. Tani grupi armiqësor, Xhafa, Pastori, Bushka, dhe 2-3 të tjerë, ata duhet të akuzohen me çdo kusht. Më shëmbëllen si historia e statuseve të Erion Veliajt. Statuset ia shkruante Rama dhe përgjigjen SKAP-i ia jepte Erion Veliajt.
Edhe këtë hakerimin, duan të ja faturojnë Fatmir Xhafajt, e kuptoj unë, aty e ke hallin ti. Ato janë hakeruar apo vetë hakeruar këtë nuk e marrim vesh ne. Ato po përdoren, siç u përdorën statuset. Meqenëse filluan të thonë, po merren me fustanet e Ajolës, tani ja sajdisën statuset dhe i thanë, tani ke kryer krim të madh shumë.
Tani edhe Fatmirit po i vijnë rrotull dhe po e akuzojnë se, gossipi është fjala, se ka hakeruar kompjuterat e SKAP-it, dhe për të më revoltuar dhe mua, edhe dosjen time. Atë i them Fatmiri publikojeni sa ta gjeni, se është publike. Shumë operacion i dyshimtë, të jemi të sinqertë, i dyshimtë aq sa ishin statuset në Facebook të Erion Veliajt. Ta ndjekin. Një gjë mund të ju them, që qytetarët po kuptojnë çdo ditë e më shumë kontrollin fatal të drejtësisë nga Edi Rama, kjo është e vërtetë dhe për ne kjo ka rëndësi.
