Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, ka njoftuar sekuestrimin e një sasie të madhe droge prej 6,850 kilogramësh gjatë një operacioni të zhvilluar së fundmi nga autoritetet venezueliane.
Sipas Cabellos, vetëm në 13 ditët e para të muajit janar, sasia totale e drogës së sekuestruar nga shteti venezuelian ka arritur në 7,148 kilogramë. Ai sqaroi se ngarkesa e fundit përbëhej nga 14,199 pako marihuanë me peshë 6,758.66 kilogramë dhe 81 pako kokainë me peshë 91.75 kilogramë.
Ministri theksoi se ky operacion përbën një goditje të fortë ndaj pretendimeve se Venezuela lehtëson trafikun e drogës. Ai deklaroi se asnjë lloj droge që mund të ndalohet nga autoritetet nuk do të kalojë përmes territorit venezuelian, duke shtuar se çdo konfiskim dobëson ndjeshëm strukturat logjistike të grupeve kriminale.
Cabello bëri të ditur gjithashtu se operacione të tjera janë zhvilluar në shtetin Zulia, ku janë realizuar disa arrestime dhe sekuestrime. Në një rast, tre persona u arrestuan me 75 pako marihuanë, ndërsa në një tjetër operacion u arrestuan tre persona të tjerë që posedonin 50 pako dhe 50 kilogramë marihuanë.
Sipas ministrit, personat e përfshirë në këto raste dyshohet se kanë lidhje me një rrjet kriminal të njohur si “mafia shqiptare”, e cila vepron nga Ekuadori. Cabello deklaroi se autoritetet janë të angazhuara në një luftë të pandërprerë kundër trafikut të drogës dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare.
