Policia ka zbardhur detaje të reja lidhur me incidentin që ndodhi mbrëmë në Shkodër, ku dy persona qëlluan me armë zjarri drejt makinës së një 42-vjeçari dhe më pas e dhunuan. Sipas autoriteteve përveç arrestimit të dy personave, është shpallur në kërkim edhe një 34-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar një pistoletë dhe 4 automjete.
Për këtë ngjarje janë arrestuar dy vëllezërit Gjovalin dhe Pëllumb Gjekaj 63 dhe 51 vjeç. Të dy autorët janë banues në fshatin Bajzë. Konflikti mes dy vëllezërve dhe Tiranës ka nisur për motive të dobëta. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime 42-vjeçarit Tirana. Policia po heton më shumë mbi ngjarjen.
Njoftimi i Policisë
Malësi e Madhe/ Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vëllezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë. Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
