Një konflikt në një banesë në Rrogozhinë ka përfunduar me kanosje me armë zjarri tip kallashnikov dhe kërcënime për vrasje. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 në ditën e sotme.

Sipas njoftimit të Policisë, 26-vjeçari me iniciale A.I, dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka kërcënuar një 35-vjeçar nga Tirana. Gjatë kontrollit në banesën e autorit, efektivët kanë gjetur kallashnikovin dhe municion luftarak të fshehur nën divan.

Sakaq, materialet procedurale i jjanë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa arma e zjarrit dhe municionet e sekuestruara do ti nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

“Rrogozhinë/ Finalizohet operacioni policor “Prevent 2”, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me pasoja për jetën Vihet në pranga 26-vjeçari dhe sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me të cilën kanosi për vrasje një 35-vjeçar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Rrogozhinë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Prevent 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. I., 26 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”;

O. T., 21 vjeç, banues në Peqin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Rreth orës 01:00, të datës 13.09.2026, shërbimet e Policisë morën informacion se një shtetas po kërcënonte me armë zjarri, për motive të dobëta, një 35-vjeçar. Menjëherë pas marrjes së informacionit, u organizua puna, duke lokalizuar banesën ku ndodheshin shtetasit A. I. dhe O. T.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, ku ndodheshin këta shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak. Shtetasi A. I., për motive të dobëta, kishte kanosur për vrasje shtetasin A. S., 35 vjeç, nga Tirana, i cili po shkonte te banesa e një 36-vjeçareje, ku ndodheshin dy shtetasit A. I. dhe O. T.

Në vijim të veprimeve procedurale, pas konsultimit me Prokurorin, nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ndaj 36-vjeçares, banuese në Rrogozhinë, e cila nuk ndodhej në banesë kur ndodhi konflikti mes dy shtetasve.

Arma e zjarrit dhe municionet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme kriminalistike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të mësipërm