Kaosi duket se ka përfshirë sot Kuvendin, brenda sallës por dhe jashtë saj. Aktualisht është ndërprerë sinjali i transmetimit për mediat për shkak se janë djegur fibrat. Nuk dihet se si ka nisur zjarri, por në foton më poshtë, shihen kabllot e karbonizuara.

Brenda sallës, deputetët e opozitës bllokuan vendet e ministrave dhe foltoren, e u përplasën fizikisht me punonjësit e Gardës së Republikës. Flakadanët dhe tymueset u rikthyen sërish në Kuvend, teksa opozita akuzoi maxhorancën pas kërkesës së SPAK-ut për të marrë lejen për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Po ashtu ata donin të bllokonin betimin e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit. Megjithatë, kjo rezultoi pa sukses, pasi mes kaosit, Shabani tha “Betohem”, e po ashtu i përshëndeti me një puthje opozitarët.




