Protesta kundër projektit në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e saj të tretë, me qytetarë dhe aktivistë që janë mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit mbajtën fjalime nga podiumi, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe duke kërkuar më shumë transparencë nga institucionet.
Momente tensioni u regjistruan gjatë protestës, kur disa prej protestuesve çanë kordonin e policisë të vendosur në hyrje të Kryeministrisë. Forcat e rendit ndërhynë për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa protesta vijoi për disa minuta mes thirrjeve dhe pankartave të qytetarëve.
Deri më tani nuk raportohet për incidente të rënda apo persona të lënduar, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë reagimet e tyre kundër projektit në Zvërnec.
