Një grevë e përgjithshme po zhvillohet sot në Belgjikë, duke rezultuar në ndalimin e shumicës së aeroplanëve në dy aeroportet kryesore dhe probleme me transportin publik në Bruksel.
Greva është e fundit në një seri protestash të këtij viti kundër propozimeve të Qeverisë për të reformuar sistemin e pensioneve dhe tregun e punës. Të gjitha nisjet dhe pothuajse gjysma e mbërritjeve janë anuluar në aeroportin Zaventem të Brukselit, duke prekur një total prej 48,000 pasagjerësh, tha një zëdhënës i aeroportit.
“Aeroporti i Charleroi nuk do të jetë në gjendje të operojë nisjet dhe mbërritjet e planifikuara”, thanë autoritetet në një deklaratë.
Transporti publik në Bruksel, Flandër dhe Wallonia është ndërprerë gjithashtu duke krijuar një situatë të rëndë. Mijëra njerëz mbërritën në stacionin hekurudhor “Gare du Nord” të Brukselit për të marrë pjesë në një demonstratë të madhe në qendër të qytetit.
Shumica e shërbimeve të metrosë, autobusëve dhe tramvajit të Brukselit janë ndërprerë nga greva, tha operatori i transportit publik STIB në një postim në platformën e mediave sociale X. Trafiku në qytet u ndërpre më tej nga zjarret në disa nga rrugët kryesore, tha policia. Mediat lokale raportuan se policia arrestoi disa protestues.
Pjesëmarrja e protestuesve është e madhe. Sipas sindikatave, mbi 100,000 njerëz kanë demonstruar që nga mëngjesi i sotëm në rrugët e Brukselit (80,000 sipas Policisë) kundër masave shtrënguese të Qeverisë së Koalicionit, e cila dëshiron të kufizojë përfitimet e papunësisë brenda dy vjetësh dhe të zbatojë një reformë të gjerë të pensioneve.
Qeveria e Koalicionit Belg po nis gjithashtu shkurtime të konsiderueshme në buxhetin e shtetit të vitit 2026, prezantimi i të cilit është shtyrë deri javën tjetër. Kërkesat e paraqitura nga tre sindikatat kryesore (CSC, FGTB dhe CGSLB) janë kryesisht socio-ekonomike: vende pune cilësore dhe pensione të drejta.
Grevistët, të cilët iu përgjigjën thirrjes së sindikatave kryesore të vendit dhe mbështeten nga organizata aktiviste si Greenpeace dhe Oxfam, po shprehin kundërshtimin e tyre ndaj koalicionit federal në pushtet të udhëhequr nga kryeministri Bart De Wever, i cili ka njoftuar një sërë reformash që synojnë uljen e shpenzimeve qeveritare.
“Ajo që na motivon vërtet janë pensionet”, tha të hënën Thierry Bodson, kreu i sindikatës FGTB, për stacionin radiofonik në gjuhën frënge RTBF.
Bodson shtoi se reforma jo vetëm që do të zvogëlojë të ardhurat e pensionistëve të ardhshëm, por do të krijojë edhe pasiguri duke ndryshuar mënyrën se si llogariten pensionet shtetërore. FGTB ka më shumë se 1.5 milion anëtarë, sipas faqes së saj të internetit.
De Wever, i cili vjen nga Aleanca e Re Flamane (N-VA) nacionaliste, u bë Kryeministër në shkurt dhe tani udhëheq një koalicion kryesisht të krahut të djathtë. Ai ka premtuar të ulë deficitet pa rritur taksat, por po përballet me vështirësi në finalizimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.