Një fluturim i Ryanair i nisur nga Londra me destinacion Tiranën, i planifikuar të zgjaste vetëm tre orë, u shndërrua në një makth 12-orësh pas dy devijimeve dhe ndërhyrjes së policisë.
“Daily Mail” raporton se fluturimi i orës 16:00 më 3 qershor pati një fillim të vështirë, me disa britanikë që ishin dukshëm të dehur në nisje, ndërsa përgatiteshin për sezonin e festivaleve në Shqipëri. Aeroplani i Ryanair ishte plot me grupe të rinjsh të zhurmshëm që mbanin shishe vodke nga Duty Free, ndërsa mezi prisnin pushimet e tyre verore në Shqipëri.
Por turistët përfunduan duke fluturuar nga ferri mes një stuhie të tmerrshme që vijoi gjatë gjithë natës, duke çuar në dy devijime të gjata. Fluturimi RK8288 u devijua dy herë, për në Itali dhe më pas në Greqi, përpara se të ulej më në fund në kryeqytetin shqiptar në orën 5 të mëngjesit sipas orës lokale, rreth nëntë orë pas orarit të planifikuar të mbërritjes. Sipas burimit që foli në mënyrë anonime për Daily Mail, furnizimet me ushqim dhe ujë mbaruan, turistët e shqetësuar organizuan një ‘kryengritje’ dhe policia greke u thirr në bord për të lehtësuar situatën kaotike.
“Ai është frikacak, piloti duhet të dalë dhe të na përballet si burrë!” bërtiti një grup burrash të tërbuar drejt kabinës së avionit, ndërsa ëndrrat e tyre të verës u shndërruan shpejt në një makth.
Dhjetëra turistë të pakënaqur madje kërkuan të zbrisnin nga avioni në Greqi, pas orësh konfuzioni dhe zhgënjimi në ajër që çuan në zemërim. Një burrë madje volli disa sekonda para se avioni të nisej përsëri dhe vrapoi për në tualet, duke u kthyer pak çaste më vonë, pa bluzë, nën një kor brohoritjesh dhe fishkëllima.
“Ishim kaq të vdekur, kaq të rraskapitur”, tha pasagjeri anonim, duke përshkruar lehtësimin që më në fund kishte zbarkuar në Tiranë, megjithëse me disa orë vonesë.
Gjatë gjithë fluturimit, ai arriti të hante vetëm një kuti Pringles me mikun e tij, duke shtuar: “Mendoj se kjo ishte praktikisht e vetmja gjë që ishte në dispozicion.”
Përafërsisht katër orë pas ngritjes nga Londra, udhëtarët menduan se avioni ishte gati të ulej në Tiranë, kur në fakt po i afrohej një aeroporti në Brindisi të Italisë.
“Rreth dhjetë minuta para uljes, piloti na tha: ‘Meqë ra fjala, nuk mundëm të ulemi në Shqipëri, tani jemi në…Brindisi në Itali. Ne thamë: ‘Oh, nuk është aty ku donim të shkonim.’ Qëndruam atje për dy, ndoshta tre orë në pistë. Njerëzit po mërziteshin dhe po bezdiseshin shumë.”- tregoi pasagjeri.
Në atë pikë, pasagjeri pretendoi se ekuipazhi i Ryanair refuzoi të vazhdonte të shiste ushqim dhe pije.
“Ata nuk jepnin asgjë falas dhe as nuk mund të blije asgjë. Njerëzit ishin të etur dhe të uritur, në mënyrë të kuptueshme. Ne kishim qenë në fluturim për katër orë në atë pikë, ndoshta më gjatë. Nuk mund të kishe qasje në asgjë,” tha ai.
Për të shuar urinë e tyre, udhëtarët ishin të detyruar të mbështeteshin te mirësitë e të huajve dhe të shpërndajnë ushqime të lehta midis tyre. Ekuipazhi përfundimisht u dorëzua dhe i lejoi pasagjerëve të blinin pije freskuese duke i detyruar mysafirët të paguanin për ujin, por shpejt të gjitha furnizimet mbaruan, përveç disa pakove me patate të skuqura, sipas pasagjerit.
Një pasagjer i shqetësuar, refuzoi të dëgjonte udhëzimet dhe filloi të ecte përreth aeroplanit, duke bërë që një stjuardesë ta ‘ulte me forcë përsëri në vendin e tij’.
“Ajo e kapi nga krahu dhe e shtyu përsëri në vendin e tij”- tregoi pasagjeri.
Shpejt, piloti njoftoi se avioni ishte gati të ngrihej përsëri, këtë herë për në Tiranë, por udhëtimi ishte larg përfundimit, me më shumë pengesa përpara.
“Jemi duke shkuar për në Shqipëri dhe pastaj, përsëri, dhjetë minuta para uljes, piloti thotë: ‘Nuk do të shkojmë në Shqipëri, në fakt do të ulem në Selanik të Greqisë.’ Në këtë pikë, ‘të gjithë po humbasin durimin”-, tha pasagjeri.
Kur avioni mbërriti në Selanik, atëherë filloi ‘kryengritja’.
“Njerëzit po bërtasin pilotin në kuvertë, duke e quajtur frikacak dhe duke i thënë të dilte dhe të përballej me ta si burrë”, tha pasagjeri.
Dhjetëra pasagjerë njoftuan më pas se do zbrisnin nga avioni, duke i thënë kapitenit: “Nuk ka asnjë mënyrë që të na mbani këtu.” Policia greke u thirr në aeroplan dhe me sa duket i tha ekuipazhit t’i linte turistët e pakënaqur të largoheshin nga avioni. Përfundimisht, avioni arriti të ulej në Tiranë rreth orës 5 të mëngjesit sipas orës lokale dhe piloti tha: “Mirë se vini në Shqipëri”. Të gjithë në aeroplan brohoritën, mirënjohës që më në fund kishin mbërritur në destinacionin e tyre shëndoshë e mirë.
Pasagjeri tha se nuk kishte arritur të kërkonte mbrapsht asnjë shumë parash pas udhëtimit, i cili zgjati nëntë orë më shumë se sa ishte planifikuar: “Ishte një refuzim automatik sapo futa numrin e fluturimit. Mora një email automatik që më thoshte: ‘Kërkesa juaj është refuzuar.’”
Ai ka zgjedhur ta përshkallëzojë mosmarrëveshjen e tij me AviationADR me shpresën e marrjes së një kompensimi. Në një letër dërguar pasagjerit, të parë nga Daily Mail, Ryanair tha se fluturimi ishte “ndërprerë për shkak të rrethanave të papritura dhe të jashtëzakonshme, të cilat ishin përtej kontrollit tonë”.
Një zëdhënës i Ryanair tha: “Ky fluturim nga Londra në Tiranë u devijua për në Brindizi për shkak të kushteve të këqija të motit në Aeroportin e Tiranës, megjithatë më pas u devijua për në Aeroportin e Selanikut për shkak të një stuhie. Pas 45 minutash, ekuipazhi hapi baret në bord në mënyrë që pasagjerët të mund të merrnin ushqime të lehta dhe pije freskuese. Pasagjerët e rezervuar në këtë fluturim morën komunikime përmes email-it, SMS-ve dhe njoftimeve PUSH. Pasi u përmirësuan kushtet e motit, ky fluturim u nis për në Tiranë në orën 4:44 të mëngjesit sipas orës lokale.”
