Procesi i numërimit të votave në shkollën “1 Maji” në Tiranë është ndalur në katër tavolina, pasi numëruesit e Partisë Demokratike janë larguar.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë zonë tha se ata janë larguar sepse janë ndier të lodhur dhe deri tani nuk janë zëvendësuar.

Numërimi po vazhdon vetëm me dy numërues, një nga PS dhe një nga PSD, siç lejon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deri tani janë numëruar 17 kuti votimi. PS kryeson me 3,754 vota, pas saj vjen ASHM me 1,924 vota, ndërsa partitë e tjera kanë më pak.

Zv kryetari i KZAZ nr 31, nga PS: Janë larguar numëruesit e PD-së. Ata kanë thënë se janë të lodhur dhe nuk janë zëvendësuar nga të tjerët. Ata punuan deri në orën 07:00 dhe u larguan, thanë se nuk punojnë dot më. Njoftuam për të sjellë numëruesit e tjerë këtu në KZAZ 31 dhe akoma nuk kanë ardhur. Sipas Kodit Zgjedhor, në këto kushte, do punohet me dy numërues, një subjekt i PS dhe një i PSD. Është e lodhshme, por kemi vendim të KQZ, që sot në darkë duhet të mbyllet vota e subjektit politik, për të vijuar me votën e kandidatit. Do presim një njoftim nga KQZ, inspektori që mbulon zonën tonë dhe vijojmë punën. Kemi numëruar 17 kuti. ASHM në 17 kuti ka marrë 1924 vota, Lëvizja Bashkë 167 vota, Lëvizja Atdheu 15 vota, Partia Koalicioni Euro-Atlantik 84 vota, PS 3754 vota, Nisma Shqipëria bëhet 260 vota, Mundësia 328 vota dhe PSD 304 vota.