Protesta në Tiranë ka vijuar me zhvendosjen e tubuesve në disa zona të kryeqytetit, ndërsa gjatë marshimit janë regjistruar edhe momente tensioni me forcat e policisë.

Pasi u larguan nga bulevardi, protestuesit kanë vijuar lëvizjen në drejtim të zonës së Piramidës. Gjatë rrugës, disa kosha mbeturinash janë përmbysur dhe janë përdorur për të penguar qarkullimin e automjeteve.

Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, një grup protestuesish ka bllokuar përkohësisht edhe segmentin e Unazës pranë Piramidës.

Në zonë ishin pozicionuar forca policore, ndërsa tubuesit janë gjendur përballë kordonit të ngritur nga efektivët.

Policia ka ndërhyrë pas bllokimit të rrugës dhe ka shoqëruar disa prej personave të përfshirë në protestë.

Tubimi ka vijuar kështu në disa pika të Tiranës, duke sjellë herë pas here edhe pengesa në qarkullimin rrugor.