Opozita, e drejtuar nga kryetari Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte (20 shkurt) protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kërkoi largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në përmbyllje të protestës, militantët hodhën molotovë, fishekzjarre dhe sende të forta para godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar tensione ndërsa ka mbetur i lënduar një punonjës policie.

Sakaq, Policia e Shtetit ndërhyri për shpërndarjen e turmës, duke përdorur ujë nën presion dhe gazlotsjellës, ndërsa forcat e rendit krijuan perimetër sigurie përreth Kryeministrisë.

Dhe e njëjta skenë është përsëritur edhe para godinës së Kuvendit, ku protestuesit me t’u mbledhur atje nisën përplasjet me policinë.

Ndërkohë që shumë pranë Parlamentit ndodhet dhe xhamia e Namazgjasë, ku qindra besimtarë po falin Teravinë në muajin e Ramazanit.