Tre shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë gjermane pas një operacioni të zhvilluar në qytetin Ebersbach, pranë kufirit me Republikën Çeke, ku autoritetet dyshojnë se po përgatitej ngritja e një plantacioni kanabisi.
Aksioni u zhvillua në një ish-godinë industriale në rrugën Spreedorfer Straße, ku efektivët ndërhynë dhe arrestuan tre persona të moshës 30, 38 dhe 49 vjeç.
Sipas mediave gjermane, gjatë kontrollit në ambientet e godinës u gjetën dhe u sekuestruan sasi të konsiderueshme substancash kimike, si edhe pajisje të ndryshme që, sipas hetuesve, ishin destinuar për kultivimin e lëndëve narkotike.
Zëdhënësi i policisë, Stefan Heiduck, deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit ishin në fazën e përgatitjes së infrastrukturës për kultivimin e kanabisit.
Operacioni, i cili nisi gjatë orëve të natës, vijoi për disa orë, ndërsa në terren u angazhuan edhe zjarrfikësit dhe ekipet e Agjencisë Federale për Ndihmë Teknike (THW), për shkak të pranisë së kimikateve që kërkonin trajtim të specializuar.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetime të mëtejshme për të sqaruar plotësisht aktivitetin e grupit dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej të arrestuarve në këtë çështje.
