Pesë shtetas shqiptarë u arrestuan sot në Spanjë, mes tyre një grua dhe katër burra të moshës 24 deri në 37 vjeç, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal. Tre prej tyre akuzohen për kultivim dhe prodhim droge, si dhe për mashtrim me energji elektrike, ndërsa dy të tjerë përballen gjithashtu me akuza për falsifikim dokumentesh.

Hetimet nisën pas ankesave të shumta të banorëve dhe kalimtarëve që prej mesit të gushtit, të cilët denoncuan erën e fortë të kanabisit, lëvizjen e pazakontë të njerëzve dhe automjeteve në zonë, si dhe probleme të përsëritura me energjinë elektrike. Pas një monitorimi të plotë, Garda Civile konfirmoi dyshimet: ventilatorë të fuqishëm të shkarkimit, erë intensive marihuane dhe shenja të një aktiviteti të paligjshëm brenda një shtëpie.

Dy prej të dyshuarve u kapën në flagrancë gjatë kontrollit të banesës, ku u gjet plantacioni i brendshëm i kanabisit sativa. Operacioni u zhvillua me një numër të madh forcash policore dhe mbështetjen e Njësisë së Sigurisë Qytetare të Komandës së Granadës, Kompanisë Armilla, Shërbimit të Qenve dhe ekipit ajror Pegaso.

Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit u arrestua në qytetin e Granadës, pas një hetimi të mëtejshëm që zbuloi ekzistencën e një qendre të mirëorganizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e marijuanës, e cila menaxhohej nga anëtarët e kësaj organizate kriminale.