Një tjetër ngarkesë e madhe me lëndë narkotike është sekuestruar mëngjesin e sotëm nga policia greke, pranë kufirit në Igumenicë. Kjo është sasia e dytë e kapur në këtë zonë brenda 8 ditëve të fundit.
Konkretisht, oficerët e policisë bllokuan një makinë private të marrë me qira, qw drejtohej nga njw 61-vjeçare greke. Gjatë kontrollit të pjesës së brendshme të automjetit, oficerët e policisë sekuestruan 90 pako me 96 kg e 74 gramë marijuanë, një sasi kokaine me peshë 5.21 gramë, një sasi e vogël hashashi të llojit “cokollatë”, 100 euro dhe 2 telefona celularë. Sasia e sekuestruar sot dyshohet se është trafikuar nga Saranda, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol. 8 ditë më parë, në Nea Selefkia të Igumenicës, u sekuestruan rreth 110 kg marijuanë që kishin kaluar nga fshati Ciflik i Konispolit, ndërkohë që policia greke arrestoi një shtetas turk.
Ka dyshime se në Sarandë janë riaktivizuar linja të trafikimit të drogës, pasi në 10 muajt e fundit, në Igumenicë janë kapur disa raste të trafikimit të marijuanës me një sasi të kapur prej rreth 540 kg. Në një nga rastet, droga u sekuestrua në një skaf i cili u mbyt, por që u arrit të kapej drejtuesi, një shtetas nga Saranda. Riaktivizim të trafikut të drogës nga Shqipëria ka pasur edhe në zonën e Janinës, Kosturit e Selanikut, ku bashkë me sasinë e kapur në Igumenicë, rezulton se në 10 muajt e fundit janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë.
